Në një kohë kur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po bllokon me tonelata produkte ushqimore të importuara nga jashtë vendit, që nuk plotësojnë kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore; apo të prodhura e të tregtuara brenda territorit shqiptar, siguria ushqimore mbetet ende një problem kryesor për konsumatorët shqiptarë.

Në një prej supermarketeve që operojnë në qytetin e Durrësit, “DurrësLajm” ka konstatuar se një prej produkteve që tregtohet në supermarketin në fjalë, ka dy data skadencash.

Kjo kanoçe me salcë domatesh, në kapakun poshtë saj ka datën e skadencës të vendosur nga fabrika italiane që e ka prodhuar, në të cilën shënohet si datë skadence: 20.08.2019.

Ndërsa importuesi dhe tregtuesi shqiptar, i ka vendosur në kapakun lart një datë tjetër skadence, duke e çuar në 3 vjet larg skadimin, më: 25.04.2022.

Edhe ngjyrat e shtypjes së shkrimit të skadencës vihen re dukshëm që ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ajo e firmës italiane është me ngjyrë të zbehtë, ndërsa firma shqiptare e ka me ngjyrë të fortë, për shkak të shtypjes kohët e fundit, me qëllimin e vetëm shtyrjen sa më larg të afatit të skadencës.

Pavarësisht se AKU konfirmon thuajse çdo ditë në njoftimet e saj për shtyp përkushtimin për zbatimin rigoroz të legjislacionit të sigurisë ushqimore dhe forcimin e masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorit anembanë vendit, siguria ushqimore mbetet një sfidë e përbashkët dhe problem i qenësishëm për shëndetin tonë!

S.L.