Rëndohet bilanci i aksidentit tragjik që ndodhi mesditën e djshme në autostradën Vlorë-Fier.

Mësohet se ka ndërruar jetë në spital 20-vjeçari Fori Duraj, pasagjer në një nga mjetet e aksidentuara. Të plagosur mbetën shtetasit Rei Leskaj, Qirja Dori dhe K.Dori 16 vjeç, si dhe shtetasi Q.D.

Në lidhje me aksidentin policia e Vlorës njofton se  janë arrestuar dy shoferët. Ndërkohë një ditë më parë ndërroi jetë 18-vjeçari Ermir Tare.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 2 drejtues mjetesh: Shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Fier, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Benz”, ka përplasur një tjetër mjet tip “Benz” me drejtues shtetasin Q. D., 21 vjeç, banues në Fier, i cili udhëtonte me katër pasagjerë. Si pasojë kanë ndërruar jetë në spitalin e Vlorës 2 nga pasagjerët, shtetasit E. T., 18 vjeç dhe F. D., 20 vjeç, ndërsa dy pasagjerët e tjerë, shtetasit K. D., 20 vjeç, R. L., 22 vjeç dhe drejtuesi i mjetit, shtetasi Q. D., ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore”, njofton policia.