Drejtori i Burgut “313”, Maksim Hamitaj, është pezulluar nga detyra për shkak se është gjetur në shkelje duke favorizuar disa të burgosur, ndër ta edhe Emiliano Shullazin. Urdhërin për pezullimin e Hamitajt e ka dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.

Shkeljet për të cilat akuzohet Hamitaj janë se ka lejuar takime shtesë të Emiliano Shullazit dhe të burgosurve të tjerë. ky është një problem i hershëm në institucionit penitenciare shqiptare. Pak kohë më parë kujtojmë se u pezullua nga detyra drejtori i mëparshëm i burgut “313” për shkelje të kësaj natyre.

Ky shkarkim vjen pas një deklarate të mbajtur disa javë më parë nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e cila paralajmëroi një kontroll të imtësishëm të drejtuesve të gjithë burgjeve. Pas kësaj, u bë publik urdhri i Gjonajt për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet në pozicionet e larta drejtuese në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Mësohet gjithashtu se Maksim Hamitaj është zëvendësuar nga Qazim Hoxha, i cili deri më tani ka qenë drejtori i Burgut të Durrësit.