Zbulohen mënyrat e nxjerrjes nga aeroporti të sendeve të vjedhura. Report Tv ka siguruar dëshminë e dy të arrestuarve këtë të hënë, për vjedhje të pasurisë nga bagazhet e udhëtarëve, punjonës të ngarkim-shkarkimit në aeroportin e Rinasit.

Mësohet se punonjësit i fshihnin sendet e vjedhura në shollat e këpucëve dhe në organet gjenitale. Ata nuk i shpërndanin sendet që vidhnin, por i kalonin vetë. Në rastet kur vidhnin vlera monetare ose sende me vlerë, largoheshin menjëherë nga aeroporti duke nxjerrë justifikime familjare. Për këtë arsye këtej e tutje nuk lejohet asnjë punëtor të dalë nga aeroporti pa mbaruar orarin e punës.

Arrestimi i punonjësve të ngarkim-shkarkimit me inicialet, D.M. 22 vjeç dhe E.RR, 24 vjeç, u bë i mundur ketë të hënë, falë informacioneve të marra se punonjësit kryenin vjedhje të pasurisë në bagazhet e pasagjerëve të linjave të ndryshme. Nga ky operacion u arrit të sekuestrohej shuma prej 4550 eurosh, që dyshohet t'i jetë vjedhur nga bagazhet udhëtarit me iniciale H.E.

Burime nga policia bëjnë me dije se janë marrë informacione për autorë të tjerë, të përfshirë në ngjarje, që kanë kryer vjedhje dhe që aktualisht janë në punë. Të njëjtat burime konfirmojnë se një shkresë pritet tu dërgohet autoriteteve për largimin e këtyre personave nga puna.

Report Tv ka denoncuar dhe më parë rastet e grabitjes së bagazheve në Aeroportin e Rinasit. Më 17 prill të 2018-s Report tv zbuloi skandalin e vjedhjes së sendeve nga valixhet në aeroportin e Rinasit, ngjarje të ndodhura në vazhdimësi dhe të evidentuara prej Policisë pas kallëzimeve të udhëtarëve, që në korrik 2018.