Shkarkohet nga detyra Përparim Kulluri, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Tiranë.

Vendimi iu dha paraditen e sotme nga Komisioni i Pavarur i Vlerësimit.

Trupi gjykues përbëhej nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici, Brunilda Bekteshi.

Kulluri kishte së fundmi në dorë dosjen “Babale”, ku janë të përfshirë personazhe të njohura të politikës, por edhe të medias.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me dyshimet rreth një kontakti të papërshtatshëm me një person të dënuar në Greqi për kultivim narkotikësh dhe po ashtu të gjykuar në Shqipëri për tentativë vrasje.

Kullurit po ashtu iu vu në dukje se dyshohej që kishte bërë deklarim fiktiv të një dyqani në Orikum, për të përfituar një vlerë më të lartë dëmshpërblimi prej shpronësimit.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, i vuri në dukje prokurorit edhe mbylljen pa veprime të një çështje ndaj një prokuroreje të Prokurorisë së Tiranës.

Kulluri, i cili ka filluar karrierën e prokurorit në Vlorë në vitin 1999, kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Ai mohoi kontaktin me personin e identifikuar si A.B dhe tha se kishte bërë deklarim të saktë në formularin e vetëdeklarimit.