Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, do të zgjerojë fushën e veprimtarisë dhe funksioneve të tij, duke u kujdesur jo vetëm për mbrojtjen e territorit, por dhe për mbrojtjen e mjedisit, kryesisht të ujit, tokës dhe pyjeve, me theks te pyjet.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me prefektët, strukturat drejtuese të IKMT dhe strukturat vendore e qendrore në Policinë e Shtetit. Takimi erdhi pas miratimit të vendimit në Qeveri, që transferon përgjegjësinë për kontrollin e mjedisit dhe pyjeve, nga MTM tek Ministria e Brendshme.

“Qeveria ka ndërmarrë në funksion të pajisjes ose ngarkimit të Ministrisë së Brendshme me disa detyra të shtuara të reja, përsa i përket kontrollit të territorit dhe mjedisit. Ndryshimet konsistojnë në një zgjerim të fushës së përgjegjësisë të Ministrisë së Brendshme, edhe me funksionet e parandalimit, mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, kontrollit dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e tokës, ajrit, ujërave dhe pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrjet e paligjshme. Në vijim të këtij ndryshimi, ose këtij zgjerimi të fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Brendshme, një pjesë funksionesh, që kanë të bëjnë kryesisht me inspektimin në fushën e mjedisit, territorit, ujërave dhe pyjeve do të kalojnë tashmë në përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme dhe për këtë arsye është realizuar edhe një ndryshim strukturor, për sa i përket Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT-së, i cili tashmë do të zgjerojë fushën e veprimtarisë dhe funksioneve të tij, duke u kujdesur jo vetëm për mbrojtjen e territorit, por dhe për mbrojtjen e mjedisit, kryesisht të ujit, tokës dhe pyjeve, me theks te pyjet”, tha Lleshaj.

Ministri u shpreh se, “ky ndryshim synon që të rrisë fuqinë parandaluese të institucioneve tona në mbrojtjen e mjedisit në vend, të godasë veprimtarinë e paligjshme dhe të sigurojë që vendi të zhvillohet në kushte normale sa i përket mjedisit, për të siguruar edhe parakushtet e tjera të domosdoshme për zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe të tjera”.

Në lidhje me arsyet e kësaj lëvizjeje, Lleshaj tha se, “arsyeja është së pari, duke qenë se IKMT-ja ka kryer deri tani një funksion të rëndësishëm në mbrojtjen e territorit të vendit, është menduar që duke e zgjeruar fushën e veprimit të këtij institucioni të provuar ndërkohë për një efiçencë të caktuar, ne do të arrijmë ta kryejmë më mirë edhe atë pjesë të shtuar të tij pra ujin, territorin, pyjet”.

Por nuk është vetëm kjo, theksoi Lleshaj, “arsyeja e dytë, ndoshta më kryesore, është që duke e afruar pranë Ministrisë së Brendshme, pranë Policisë së Shtetit, ne do të arrijmë që funksionet e mbrojtjes së territorit, të kryhen në kuadër të një veprimi të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe të IKMT-së së re, e cila tashmë nuk do të jetë pjesë e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit por do të jetë Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit. Në kuptimin operacional, në kuptimin e punës së përditshme, strukturat e reja të IKMT-së, e kam fjalën kryesisht për ato që i shtohen si funksione, të inspektimit të mjedisit dhe të pyjeve dhe të ujërave do të kryhen në bashkëveprim të ngushtë me strukturat vendore të policisë”.

Lleshaj foli edhe për përgatitjen për sezonin e ardhshëm turistik, ku shtoi ai, “Prefektët, Drejtoritë Vendore të Policisë dhe IKMT-ja, duhet të përfshihen në kuadër të zbatimit të planit të masave për të bërë secili atë pjesë të detyrimeve që ka në kuadër të këtij plani. Është me shumë rëndësi që të parandalohet çdo ndërhyrje e paligjshme në zonat turistike të vendit, e cila jo rrallë ka ndodhur në të kaluarën tonë, është e rëndësishme të shtohet bashkëpunimi me njësitë vendore, njësitë e pushtetit vendor, për të koordinuar përpjekjet dhe për të parandaluar me çdo kusht që të eliminohet çdo lloj zaptimi i çdo centimetri katror në plazhet e vendit apo në zonat e tjera turistike. Në qoftë se vite më parë kemi pasur fatkeqësisht nganjëherë rolin që policia është futur në mes të sezonit për të rivendosur rendin në zonat e plazheve, duke larguar zaptues, duke larguar materiale të vendosura në mënyrë të paligjshme nëpër plazhe, kjo punë, për këtë vit, duhet të fillojë që tani, jo për të pritur dhe për të larguar materiale apo zaptues, por për të parandaluar me çdo mënyrë zaptimin e territoreve ose sipërfaqeve të caktuara në zonat turistike të vendit”.

Lleshaj vuri theksin edhe tek angazhimi në kuadër të luftës për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

“Dua të them që viti që shkoi ka paraqitur një nivel shumë të fortë angazhimi të institucioneve, i cili është reflektuar në numrin e madh të operacioneve të policisë të zhvilluara; në numrin e lartë të personave të proceduar penalisht; në numrin e konsiderueshëm të mjediseve të kontrolluara; në numrin e bimëve të kanabisit të sekuestruara etj. Pra ka një volum të lartë, por viti i kaluar na ka dëshmuar edhe një numër të lartë të goditjes ndaj zyrtarëve që kanë përgjegjësi për kontrollin e territorit”, tha Lleshaj.

“Për vitin që jemi, puna tashmë ka filluar dhe operacioni në terren ka filluar, por kërkohet më shumë ritëm në mënyrë që kjo çështje, ky operacion të përfundojë para fillimi të mirëfilltë të pranverës. Gjithë fenomeni i kanabisit, i cili jam krejt i bindur që është apo ka përfunduar në trajta rudimentare, por gjithsesi dhe një bimë e vetme, edhe një kubik i vetëm i mbjellë, është objekt i cili duhet kërkuar, duhet gjetur, duhet asgjësuar dhe duhen nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për të gjithë ata që kanë përgjegjësi”, tha ai.

“Në qoftë se vjet kishim vendosur Qershorin si datë fundore, pas të cilës mbaronte puna e policisë, dhe fillonte përgjegjësia e saj, sivjet ky afat është tërhequr më para, pra duhet të jetë Prilli, afati, të cilin drejtuesit e policisë duhet ta kenë mbyllur përpjekjen e tyre në luftën kundër kanabisit”, tha Lleshaj.

“Duhet ta kenë mbyllur brenda muajit prill, dhe pas këtij muaji do të fillojë pastaj kërkimi i përgjegjësisë edhe tek radhët e zyrtarëve që kanë përgjegjësi për këtë. Çdo sipërfaqe e mbjellë me kanabis ku do që të jetë, do të shkaktojë automatikisht proces ndaj zyrtarëve personave, që kanë përgjegjësi për atë territor të caktuar. Duke filluar nga drejtuesit e pushtetit vendor, duke filluar nga drejtuesit e policisë, nga drejtuesit e inspektorateve të pyjeve flas tani, të bujqësisë etj., me radhë. Çdokush që është përgjegjës për territorin e vendit tonë duhet të mbajë përgjegjësinë që ky territor të përdoret vetëm për qëllime të ligjshme ku kanabisi nuk përfshihet. Muaji prill duhet të jetë muaji ku se cili prej jush prej nesh do të jetë i gatshëm për të dhënë llogari lidhur me punën e kryer. Është një muaj i mirë pune për t’u angazhuar masivisht në kuadër të një operacioni të gjerë që të prekë çdo cm katror të territorit. Atje ku tani mund të zhvillohet ose kultivohet kanabis, në zonat me risk të lartë, në serra, në tunele, në objekte të braktisura, në vende të tjera me risk, të cilat tashmë janë  pjesë e planit kombëtar, për këtë çështje. ”, tha Lleshaj./ATA