Këtë vit jo vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë ka patur më pak pushues në bregdet. Kriza nuk është ndjerë vetëm nga operatorët turistikë në bregdetin e Durrësit, të cilët regjistruan rënien më të madhe të të ardhurave që prej vitit 1997, por edhe në jug situata nuk ka qënë më e mirë.

Liza është tezja më e famshme në Jalë. Prej vitesh, Liza ka një plazh privat, të cilin e menaxhon si pjesë e aktiviteteve të familjes. Këtë vit numri i pushuesve ka qenë i vogël.

“Më i ulët se çdo vit tjetër”, thotë Liza, që të gjithë në plazh e quajnë tezja. 50 vjeçarja tregon se këtë vit në Jalë u investua për ndërtimin e një shëtitoreje mes e për mes fshatit turistik, por bllokimi i qarkullimit të rrugës ka bërë që pushuesit të jenë të paktë.

“Taksat e vendosura janë shumë të larta, aq të larta sa nuk nxjerr dot asnjë fitim”, thotë Liza.

E si të mos mjaftonte kjo, në shëtitore u ndërtuan 14 lokale për pushuesit, por nuk u lejua nga inxhinieri mbikqyrës i projektit që të ndërtohej një tualet apo dush për pushuesit. Në mungesë të tualeteve, pushuesit i ‘mbarojnë’ të gjitha nevojat e tyre fiziologjike në det.

Nga pamja e jashtme Jala të merr në qafë, por mungesa e tualeteve është një problem social mjaft i ndjeshëm në këtë perlë të bregdetit shqiptar. Mesa duket, projektuesit dhe zbatuesit e projektit se kanë çuar aspak në mendje faktin, se pushuesit kanë nevojë të përdorin banjot në bregdet.

Ndërkohë që një unazë është hapur për të qarkulluar mjetet, por ky aks është ku thërret qameti, sepse më shumë ngjan me shtigjet e dhive, sesa me një rrugë ku do të kalojnë makinat e turistëve.

Çmimet ndërkohë nuk ishin aq të larta sa reklamohen për të prishur imazhin, ndoshta edhe sepse javën e fundit e gushtit hotelet e shtëpitë e kthyera në shërbim të turistëve punonin me 30% të kapacitetit të tyre. Numri i pakët i pushuesve uli edhe çmimet.   Dhomat varionin nga 2.500 lekë nata deri 30 Euro me kushte shumë të mira në javën e fundit, çmime këto shumë të përballueshme për pushuesit.

K.H.