Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në Facebook foto nga investimi që po kryhet në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me sistetimin e rrugëve dhe vendosjen e ndriçimit.

Sipas Ramës, "katrahurës, pluhurit, errësirës, xhunglës 30-vjeçare të ndërtimeve pa hesap përgjatë brezit bregdetar, po i zë vendin hap pas hapi, një rrjet normal infrastrukture falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane."

POSTIMI I PLOTË

Vazhdon çdo natë edhe gjatë sezonit veror, sistemimi i rrugëve dhe vendosja e ndriçimit në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, ku katrahurës, pluhurit, errësirës, xhunglës 30-vjeçare të ndërtimeve pa hesap përgjatë brezit bregdetar, po i ze vendin hap pas hapi, një rrjet normal infrastrukture falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane.

Gur gur bëhet muri dhe mur mur bëhet kalaja, thotë Populli, paçka se të kërkosh sot durim, pas aq shumë vitesh të shkuara mbrapsht, duke i’a futur kot e shkatërruar medemek për të ndërtuar, është si të kërkosh ujë në shkretëtirë. #ShqipëriaqëDuam

Projekti për këtë vijë bregdetare synon transformimin e zonës nga Përroi i Agait deri në Golem, rehabilitimin e rrugëve të brendshme dhe rikualifikimin e hapësirave publike të plazhit në ambiente shumëfunksionale turistike.

Projekti që do të zbatohet dhe që kap shifrën rreth 1.5 milion euro ka qëllim që zona të jetë funksionale gjatë gjithë vitit. Shëtitorja përgjatë plazhit është konceptuar të shtrohet me larmishmëri dekorimi, për të dhënë imazhin e një udhëtimi nëpër katër stinët e vitit.

Krahas asfaltimit dhe plotësimit me sinjalistikë rrugore dhe ndriçim, projekti do të fokusohet edhe në shtimin e hapësirave të gjelbra, parqeve dhe këndeve të lojërave, ndërsa parashikon punime edhe në rrjetin e tubacioneve dhe kanalizimeve.