Ish-deputetja e Durrësit, Fatbardha Kadiu, ka denoncuar përmes një statusi në Facebook faktin se një pacient i prekur nga Covid-19 po mbahet në spitalin e Durrësit.

“Nje tjeter i shtruar me coronavirus në spitalin e Durresit e nuk tregojne.

Mostra”,– shkruan Kadiu.

DurrësLajm komunikoi me ish-deputeten, e cila nënvizoi se informacionin e kishte nga bluzat e bardha të spitalit rajonal. Sipas saj, mjekët janë të shqetësuar pasi nuk kanë pajisjet e nevojshme dhe i tremben infektimit nga Covid-19.

Kujtojmë se viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri ishte një 73-vjeçare nga Durrësi, e cila ishte kthyer nga një udhëtim në Itali.

Gruaja e moshuar, e cila vuante edhe nga patologji të tjera, mbylli sytë në spitalin e Durrësit, pasi transportimi i saj drejt Spitalit Infektiv ishte i pamundur, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Një mjek i spitalit të Durrësit rezultoi pozitiv me Covid-19, si pasojë e kontaktit me të moshuarën, por pak ditë më parë ai u shërua, pasi testi i dytë e nxori negativ. Gjithsesi, mjeku infeksionist Beqir Gelaj do të qëndrojë dhe 14 ditë të tjera në karantinë dhe më pas mund të rikthehet në detyrë.