Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për biznesmenin nga Durrësi Besnik Leka, i cili u arrestua në aeroportin e Rinasit pasi iu gjet një pistoletë që e kishte mes një çante.

Biznesmeni ndërkohë para gjykatësve ka deklaruar se pistoleta i është vënë nga një person i tretë dhe kjo sipas tij ka ardhur me qëllim për të dëmtuar për shkak të konkurrencës.

Top Channel shkruan se biznesmeni shtoi para trupës gjykuese se nuk kishte dijeni për sa i përket pistoletës që gjendej në valixhen e tij.

“Unë lëviz shpesh jashtë vendit dhe e di që është e vështirë të kalosh dhe një antidjersë dhe jo më një armë”, mësohet të ketë thënë para gjykatësve 43-vjeçari, i cili pretendon se është biznesmen në fushën e energjitikës dhe drejt Bolonjës në Itali do të udhëtonte për punë.