Ajo çfarë ka mbetur nga Shtëpia e Pushimit të punonjësve të policisë së shtetit në Plepa në Durrës është e frikshme. Tërmeti  i 26 nëntorit ka shkatërruar tërësisht hotelin e inauguruar pak vite më parë.

DurrësLajm sjell pamjet nga brenda kësaj shtëpie pushimi. Konvaleshenca e punonjësve të Ministrisë së Brendshme është vënë në dispozicion të qytetarëve sa herë që fatkeqësitë natyrore kanë nxjerrë të pastrehë popullatën, në raste përmbytjesh apo në rastin e tragjedisë së Gërdecit. 

Në kohën kur në Gërdec shpërtheu fabrika e demontimit, në këtë shtëpi pushimi janë strehuar me qindra njerëz për disa javë, deri në riparim të banesave të tyre, por njëkohësisht sa herë përmbytjet kanë goditur qytetin e Durrësit dhe atë të Shijakut, qytetarët janë strehuar në këto ambiente në pronësi të Ministrisë së Brendshme.

Në 26 nëntor nga shembja e hotelit gjeti vdekjen kryekomisari Bajram Hajdarmataj. Për këtë ngjarje prokuroria ka vënë në pranga drejtorin e përgjithshëm të Konvaleshencës Ahmet Doda, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”si dhe shefin përgjegjës të hotelit, Kujtim Hasa, me akuzën “Vrasja me dashje”.

Doda dhe Hasa u lanë në burg nga Gjykata e Shkallës së parë Durrës, pak ditë më parë.

K.H.