Vijon në të gjithë qarkun e Durrësit, zbatimi i detyrave të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë zjarri dhe atyre që shpërndajnë apo trafikojnë lëndë narkotike.

Shërbimet Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Krujë, kanë ushtruar kontrolle të befasishme në ambiente dhe në mjete të ndryshme, ku dyshohej se ndodheshin persona në kërkim ose persona që lëviznin me sende të kundërligjshme.

Si rezultat i  këtyre kontrolleve u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., 23 vjeç, banues në Mamurras, Laç, i kthyer deportiv nga Anglia, ku ka vuajtur dënimin me 8 muaj burg, për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në mjet iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9900 euro dhe 35 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.