DurrësLajm pati paralajmëruar në datë 9 nëntor se një femër pritej të përzgjidhej në krye të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike në Bashkinë e Durrësit.

Ajo që njihet nga të gjithë si drejtoria e Urbanistikës dhe që për gati 10 vite u drejtua nga Adhurim Qehajaj, tashmë do të ketë në krye të saj një femër, Dorina Isufin, e cila u shpall fituese pas intervistës së strukturuar me gojë të zhvilluar në datë 15 nëntor, në bashki.

Isufi për disa vite ka qenë vartëse e ish-drejtorit Qehajaj në bashkinë e Durrësit, ndërkohë që vitet e fundit ka qenë drejtoreshë e Urbanistikës në bashkinë e Shijakut.

Isufi konkuroi për postin e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike në Bashkinë e Durrësit përmes lëvizjes paralele.

Pas intervistës me gojë, ajo është vlerësuar nga komisioni me 99 pikë.

Isufi bëhet kështu e disata femër e emëruar në bashki në pozicione të mbajtura më parë nga drejtues meshkuj. Vetëm drejtoresha e re e Burimeve Njerëzore Irena Shkarpa zëvendësoi në post një tjetër femër (ish-drejtoreshën historike Drita Zeneli), ndërkohë që nënkryetarja Etleva Kondi dhe drejtoresha e kabinetit Keli Kërtusha zëvendësuan ish-kolegë të tyre meshkuj të dalë në pension.