Zyrtarizohet emri fitues i konkursit për postin e Drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme Ligjore, Arsim Kulturës dhe Burimeve Njerëzore në Bashkinë Durrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, Bashkia Durrës njofton se në krye të kësaj drejtorie vjen Stela Shkarpa, e vetmja kandidate e përzgjedhur nga të gjithë të interesuarit që dorëzuan dokumentacionin pranë këtij institucioni.

Në një shkrim të disa ditëve më parë "DurrësLajm" shkruante se Shkarpa pritej të ishte femra e cila do të mbante postin kyç në bashkinë e qytetit bregdetar. Mësohet se pas intervistës së zhilluar më 1 nëntor Shkarpa është vlerësuar me 86 pikë nga Komisioni i Vlerësimit.

Ajo zëvendëson ish-drejtoreshën e Burimeve Njerëzore, Drita Zeneli, e cila u dorëhoq për arsye shëndetësore në fillim të muajit shtator, pas një qëndrimi 12-vjeçar në këtë post.

Ndërkohë pritet që një tjetër femër të vijë në krye të një tjetër drejtorie të rëndësishme në bashkinë e Durrësit. Një muaj më parë dha dorëheqjen Adhurim Qehajaj pas 10 vitesh në krye të Urbanistikës.

Në një tjetër njoftim që Bashkia e Durrësit ka publikuar në faqen zyrtare bën me dije se nga procedura e lëvizjes paralele është përzgjedhur vetëm kandidatja Dorina Isufi e cila do të intervistohet me gojë më 15 nëntor.

Isufi ka qenë për disa vite me radhë punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike në Bashkinë e Durrësit. Vitet e fundit ajo ka qenë drejtuese e kësaj drejtorie në bashkinë e Shijakut.