Klima politike ka ndikuar negativisht në zhvillimin e turizmit. Drejtues të Shoqatës së Turizmit i bëjnë apel klasës politike për të siguruar klimën e duhur për një sezon të mbarë turistik. Kreu i Shoqatës së Turizmit në Durrës, Eduart Xhepa, shprehet se ka pasur disa anulime të prenotimeve që janë bërë muaj më parë, kjo sipas informacioneve që ai ka nga operatorët turistikë të Durrësit.

Xhepa shton se vazhdimisht kanë kërkuar që zgjedhjet të mos mbahen gjatë sezonit turistik në 3 muajt e fluksit, siç janë qershori, korriku dhe gushti.

Periudha që ka numrin më të madh të prenotimeve është muaji gusht. Kryetari i Shoqatës së Turizmit shprehet se në përgjithësi sezoni turistik është në rrugë të mbarë, ndërsa ka shtuar që të gjithë të punojnë për të zgjatur në kohë sezonin.

Në qytetin e Durrësit është rritur numri i turistëve të huaj vit pas viti, të cilët vijnë me kroçera, të organizuar me grupe dhe në mënyrë individuale.