Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku miratoi emërimin e drejtuesve të prokurorisë në Durrës e Sarandë si dhe emërimin e disa prokurorëve në Tiranë.

Me 7 vota pro, KLP caktoi Sali Hasën, drejtues të përkohshëm të Prokurorisë Sarandë pas shkarkimit të Edison Ademit. Ludovik Doda caktohet drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Apelit Durrës me 10 vota pro pas shkarkimit të Ferdinand Elezit.

Po kështu është miratuar me 5 vota pro, caktimi në detyrë (rikthim në sistemin e prokurorisë) pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, i prokurorit Leonard Filopati për shkak të mbarimit të afatit të komandimit në Ministrinë e Drejtësisë.

KLP ka miratuar gjithashtu me 5 vota pro caktimin në detyrë të prokurorit Bledar Valikaj në Prokurorinë  e Shkallës së Parë Tiranë. Në mbledhjen e datës 25 mars, KLP vendosi dhenien e statusit të prokurorit për Bledar Valikaj.