Komisioneri publik kërkoi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në seancën e mbajtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Nga ana tjetër, kryegjyqtari Zaganjori kërkoi që të mbetet në fuqi vendimi i KPK-së, për ta lënë në detyrë pasi theksoi se shumë prej provave që ka paraqitur nuk janë marrë parasysh.

“Unë deri në ditën e fundit edhe tani, për ato kompetenca që më njeh ligji për të gjykuar dhe nënshkruar shkresa si gjyqtar i vetëm unë nuk e kam ndjerë veten nën presion. Edhe dje kam nënshkruar shumë shkresa për dorëheqjen e gjyqtarëve  të gjykatave të Apelit. Kjo është për t'u gjykuar nga çdo gjyqtar. Por unë jam munduar që gjatë këtij procesi të realizoj edhe detyrat që më ngarkon ligji”,– tha Zaganjori. 

Pas seancës në KPA kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në një deklaratë për mediat u shpreh se Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka gjykuar si të përsëritura dhe pa vlerë argumentet shtesë të paraqitura prej tij.  

Vendimi pritet të shpallet më 26 korrik, ndërsa Zaganjori kërkoi që figura e tij të mos denigrohet pasi ka qenë një nga mbështetësit e vettingut.