Një ditë e cila duhet të ishte e gëzuar, u kthye në tragjedi për familjen e kryetarit të Njësisë Administrative Sukth, Rrapo Osmani.

Të shtunën e 27 shkurtit, Osmani mbushi plot 47 vjeç, ditë në të cilën përjetoi dhimbjen e madhe të humbjes së fëmijës.

Aksidenti fatal i pasditës së të shtunës në Sukth, i mori jetën 16-vjeçarit Flavio Osmani, njëri nga katër djemtë e zyrtarit të Partisë Socialiste.

Adoleshenti humbi jetën disa orë pasi u dërgua në spital për shkak të plagëve të rënda, duke shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët e tij.

Në aksident mbetën të plagosur edhe tre miqtë e 16-vjeçarit, pasagjerë në makinën “Renault” që po drejtohej nga ky i fundit dhe u përplas me mjetin tip “Benz”.

Në lidhje me aksidentin, policia njoftoi mëngjesin e sotëm se është arrestuar drejtuesi i makinës tip “Benz”, Gj. B., 54 vjeç, banues në Durrës, për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.