Sistemi i reformuar i drejtësisë shqiptare përballet me shumë sfida pas procesit të vettingut, por ai ka tronditur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe për këtë ka mbështetjen e plotë të autoriteteve shqiptare dhe partnerëve perëndimorë, amerikanë dhe europianë.

Këto vlerësime u dhanë sot në Ditën Kombëtare të Drejtësisë në Tiranë, për nderim të të cilës u zhvillua një mbledhje e përbashkët nga Këshili i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Presidenti Bajram Begaj si dhe përfaqësues të diplomacisë amerikane dhe europiane në Shqipëri bënë thirrje që drejtësia e re të thellojë rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbledhjen e përbashkët vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku morën Presidenti i Republikës, përfaqësues të Kuvendit, qeverisë, dhe të misioneve diplomatike amerikane, kryetari i KLP-së, Alfred Balla, renditi disa nga sfidat që po has sistemi gjyqësor pas reformimit, mes të cilave përmendi rritjen e cilësisë së gjykimit, kthimin e besimit të publikut, por duke nisur nga stoqet dhe vendet bosh në sistem.

“Do të renditja konkretisht disa: sfidën e plotësimit të vendeve të mbetura vakant nga procesi i vetingut. Duhen edhe disa vite që ne të plotësojmë radhët tona. Kemi sfidën e gjetjes së një të mesme të artë mes çështjeve të akumuluara pa fund ndër vite dhe evadimit të tyre nga gjykata të atyre që janë më urgjente. Kemi sfidën e konsolidimit të organeve të reja të drejtësisë, se kemi disa vite që jemi krijuar. Kemi sfidën e rritjes së cilësisë së hetimit dhe gjykimit për çështje penale, civile dhe administrative”, tha Balla.

I ngarkuari me punë i SHBA-ve në Shqipëri, David Wisner, tha se përfaqësuesit e rinj të drejtësisë, po sjellin transparencë dhe llogaridhënie, si dhe po ndërmarrin veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, megjithë pengesat si vende të paplotësuara, çështje të prapambetura dhe një vetting gjithnjë e më të plotë, ndërsa ka presione politike dhe pritshmëri të lartë nga publiku.