Prokuroria e Përgjithshme përmes një deklarate me shkrim, thotë se për krimet zgjedhore janë regjistruar procedim penal për 53 njoftime në total, nga të cilat, 7 prej tyre kanë përfunduar, 5 persona janë në hetim, një çështje i ka kaluar SPAK, një është pezulluar dhe dy procedime me dy të pandehur janë dërguar për gjykim.

Gjithashtu, në deklaratë thuhet se: “Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 23 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 25 njoftime”.

Prokuroria sqaron më tej se, aktualisht po ndiqen penalisht 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme:

Tiranë, 10 qershor 2021. Në vijim të masave administrative dhe procedurale të ndërmara nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore, prokuroria është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, në kompetencë lëndore të juridiksionit të përgjithshëm.

Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 08.06.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 53 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet. Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 7 prej tyre me 5 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 2 procedime me 2 të pandehur janë dërguar për gjykim.

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 23 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 25 njoftime për veprat penale si më poshtë:
Veprat penale në fushën e zgjedhjeve

Neni 325, Pengimi i subjekteve zgjedhjore

Neni 326, Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve

Neni 326/a, Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor

Neni 327, Shkelja e fshehtësisë së votimit

Neni 327/a, Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar

Neni 328, Korrupsioni aktiv në zgjedhje

Neni 328/a, Përdorimi i funksionit publik për veprimt. politike ose zgjedh.

Neni 328/b, Korrupsioni pasiv në zgjedhje

Neni 329, Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

Neni 330, Pengimi i zgjedhësit

Neni 330/a, Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve

Neni 331, Shkelja e të drejtës së zgjedhjes

Neni 331/a, Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit

Neni 332, Shpërdorimi i autoritetit ushtarak

Neni 332/a, Shpërdorimi i autoritetit policor

Neni 248, Shpërdorimi i detyrës ne lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet

Aktualisht po ndiqen penalisht për veprat e mësipërme 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona.