Prej disa ditësh, situata e menaxhimit të mbetjeve urbane në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij paraqitet mjaft kritike.

Mbrëmjen e së dielës, në redaksinë e “DurrësLajm” mbërritën disa pamje filmike nga zona e ish-Kënetës, ku grumbujve me mbeturina që nuk tërhiqeshin prej ditësh u ishte vënë zjarri.

Erës së rëndë të mbeturinave, me të cilën banorët bashkëjetonin prej ditësh, iu shtua edhe era e rëndë që lëshohet nga djegia e tyre në mes të lagjes. Siç duket nga pamjet filmike, në zonë mbërriti edhe një automjet zjarrfikësish, për të vënë zjarrin nën kontroll dhe për ta shuar atë.

Ndërkohë, ditën e sotme, pranë tregut të makinave në ShënVlash, pirgjet me mbetje nuk kanë nevojë për koment. Për rreth 10 metra gjatësi rruge, plehrat dekompozohen në qiell të hapur dhe nën temperaturat e larta të këtyre ditëve të fundit.

Prooblematikat me konçesionarin e landfillit të Sharrës kanë bërë që plehrat në qytet të mos tërhiqen rregullisht, ndërsa kazanët e mbushur plot e përplot në lagje të ndryshme të qytetit dhe era e rëndë që lëshohet prej tyre janë panorama e përditshme me të cilën përballen qytetarët e bashkisë Durrës.