Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, duket se i ka idetë e qarta për 100 ditët e para të qeverisjes së qytetit nga ana e tij. Në një postim në Facebook, Arbana premton se do të bëjë 200 punë konkrete për Shijakun në 100 ditët e para të mandatit.

Ai, madje rendit një sërë premtimesh, që sipas tij pritet të marrin udhë gjatë kësaj periudhe kohore.

“Nisja e ndërtimit të një shkolle të re 9-vjeçare në Borakë
Përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm,
 Ndërtimi i Parkut të qytetit për më shumë hapësira clodhjeje për qytetarët, 
 Nisjen e ndërtimit të dy shkollave të reja,
Qendër shëndetësore në Njësinë Administrative Xhafzotaj etj”,
– janë disa nga premtimet më të afërta për t’u realizuar në kohë sipas kryebashkiakut.

Postimin e tij, Arbana e ka shoqëruar edhe me foto nga angazhimi në terren, krahas punëtorëve të ndërrmarrjeve në varësi të institucionit të drejtuar prej tij. Nëse në ditën e parë të javës, u përfshi në procesin e larjes së rrugëve të qytetit, ditën e martë ai ka marrë në dorë furçën për të lyer hekurat e urës hyrëse të qytetit të Shijakut.

Meqë Arbana i deklaroi publikisht disa nga planet e tij më të afërta, qytetarët e Shijakut e kanë të lehtë të verifikojnë nëse premtimet e deklaruara do të realizohen apo jo brenda 100 ditëve të para të mandatit të tij.

I lakuar nga opozita si i përzgjedhuri i bandës së Avdylajve pas publikimit të përgjimeve nga e përditshmja gjermane Bild, Arbana duket se i ka vënë qëllim vetes të shfaqet para bashkëqytetarëve të tij, në ditët e para të mandatit, si njeri i terrenit dhe i punës. 

Postimi i plotë i Elton Arbanës:

Në 100 ditët e para të mandatit tim do të bëjmë 200 punë konkrete për Shijakun.

Sot sërish në terren duke punuar me punonjësit e mirëmbajtjes, duke pastruar e duke lyer urën e qytetit, për tu kujdesur për hapësirat publike Kjo në kuadër të realizimit të sa më shumë punëve të mira për Shijakun, për të përmirësuar kushtet dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Nën moton "Çdo ditë nga dy punë të mira për Shijakun që duam", në 100 ditët e para të qeverisjes shpresoj shumë të arrij të bëj plot 200 punë konkrete për Shijakun dhe Njësitë Administrative. 

Nga premtimet e mia elektorale dhe planet më të afërta që kam për të realizuar janë: 
Nisja e ndërtimit të një shkolle të re 9-vjeçare në Borakë
Përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm,
 Ndërtimi i Parkut të qytetit për më shumë hapësira clodhjeje për qytetarët, 
 Nisjen e ndërtimit të dy shkollave të reja,
Qendër shëndetësore në Njësinë Administrative Xhafzotaj etj.

Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me donatorë të huaj dhe vendas që duan të ndërtojnë kopshte, shkolla dhe qendra shëndetësore për t'i shërbyer më shumë komunitetit përmes investimeve të tyre.

Falenderoj të gjithë ata qytetarë të përgjegjshëm për kontributin e tyre vullnetar. Përmes punëve vullnetare duam të ndërgjegjësojmë komunitetin për ruajtjen e këtyre hapësirave. Bëj thirrje gjithashtu të bashkohen sa më shumë të rinj, e jo vetëm që të punojnë vullnetarisht për të përmirësuar infrastrukturën publike, por edhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.

#ShijakuqëDuam