Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pasur një rol kyç gjatë pandemisë, si pjesë e Task Forcës, për të ushtruar kontrolle dhe për të monitoruar zbatimin e planit të masave dhe protokolleve të sigurisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19. 

Drejtori i AKU Durrës, Manush Kullolli, deklaron për DurrësLajm se gjatë periudhës 15 mars – 30 qershor janë ushtruar kontrolle të vazhdueshme nëpër subjekte ushqimore dhe furrat e bukës.

Rreth 4000 kontrolle dhe monitorime në terren janë kryer gjatë kësaj kohe, ndërkohë që ka pasur masa të shumta administrative, ndërsa në 9 raste është proceduar deri në bllokim aktiviteti të subjektit. 

“AKU Durrës ka bërë 267 kontrolle online gjatë muajve të fundit, nga plani i punës që kemi ne si drejtori. Gjithashtu janë kryer rreth 623 inspektime dhe monitorime nga grupet e AKU si pjesë e Task Forcës si dhe 2711 monitorime në operatorë të ndryshëm të biznesit. Në total bëhet fjalë për rreth 4000 kontrolle dhe inspektime gjatë përiudhës së pandemisë. Në rastet kur janë konstatuar shkelje dhe abuzime janë vënë masa administrative, janë sekuestruar produkte, ndërsa për shkeljet më të rënda është proceduar me bllokim aktiviteti”,– thotë Kullolli.

Ndërkohë, gjatë sezonit turistik vëmendja e AKU Durrës do të përqendrohet në kontrollin dhe monitorimin e subjekteve tregtare dhe atyre sezonale përgjatë vijës bregdetare. 

“Fokusi i kontrolleve do të jetë respektimi i kushteve higjieno-sanitare, ruajtja e produkteve në kushte maksimale, zbatimi i protokolleve të sigurisë, pajisja me masat mbrojtëse etj. Vëmendje kryesore do t’i kushtohet pajisjes së këtyre subjekteve me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përpara nisjes së aktivitetit tregtar”,- thotë drejtori i AKU Durrës. 

Dy javët e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja dhe numrit të fataliteteve të prekur nga Covid-19. Për këtë arsye, drejtori Kullolli ka edhe një apel drejt subjekteve që operojnë në fushën e ushqimit dhe njësive të shërbimit, por edhe qytetarëve.

“Zbatoni me rigorozitet protokollet e sigurisë. Nëse secili nga ne respekton distancat, përdor masat mbrojtëse dhe tregon kujdes, të gjithë bashkë do t’ia dalim”,– thotë ai.

M.B.