Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptare, Ani Dyrmishi, ka reaguar sërish për pakon e dyshimtë, me lëndë artizanale që u gjet mëngjesin e sotëm afër makinës së tij në lagjen nr.4 të qytetit ku ai banon.

Në një deklaratë për mediat, Dyrmishi deklaron se nuk ka patur kurrë kërcënime dhe mohon të ketë konflikte personale apo në lidhje me detyrën me njeri dhe largon dyshimet se ngjarja ka lidhje me funksionin e tij si drejtues i hekurudhës.

Ai i bën thirrje organeve ligjzbatuese të hetojnë e të sqarojnë rrethanat e ngjarjes si dhe të vihen përpara drejtësisë personat përgjegjës.

DEKLARATA E DYRMISHIT

Sot, si qytetar i Durrësit por edhe si person që mbaj funksion drejtues pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës Shqiptare, çmoj të arsyeshme të sqaroj opinionin publik në lidhje me pasqyrimin në media të gjetjes së një lënde, të dyshuar si lënde plasëse në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit, lagje ku unë banoj.

Unë nuk disponoj vend parkimi privat, si rrjedhoje në përditshmërinë time, e parkoj mjetin në vende parkimi publik.

Kurrë nuk jam ndjerë i kërcënuar. Kam ecur dhe vazhdoj të ec i lirë në qytetin tim gjatë gjithë kohës.

Figura ime si qytetar por edhe si drejtues i lartë i HSH, kurrsesi nuk lidhen me ngjarjen e sotme.

Unë nuk kam asnjë konflikt personal apo konflikt në lidhje me detyrën që unë mbaj, Administrator i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhës Shqiptare.

Gjatë ushtrimit të detyrës, kurdoherë jam mbështetur dhe do të vazhdoj të respektoj e zbatoj vetëm ligjin sot dhe në të ardhmen.

Padyshim, nxis dhe pres nga organet ligjzbatuese të hetojnë e sqarojnë rrethanat e ngjarjes dhe të vihen përpara drejtësisë personat përgjegjës.