Mrekullitë ekzistojnë edhe në jetën reale, dhe këtë e ka dëshmuar një foshnje në Durrës, e cila ka lindur vetëm 800 gramë dhe ia ka dalë të mbijetojë.

Përmes një postimi në Facebook, Spitali Rajonal Durrës bën me dije se foshnja e seksit femër lindi prematurë më datë 3 korrik të këtij viti dhe prej asaj dite i gjithë stafi (mjekë dhe infermiere) iu përkushtua maksimalisht.

E kontaktuar nga "DurrësLajm", mjekja Linda Deliu Beka e cila ka ndjekur nga afër rastin në fjalë tregon se bebeja ishte 26-27 javësh në kohën kur lindi. Më herët, e ëma e vogëlushes kishte lindur një tjetër foshnje prematurë por jo në parametra kaq të vogla.

"Ishte një fëmijë luftarak për të jetuar, edhe pse jashtëzakonisht e vogël kërkonte të pinte. I kaloi peripecitë e peshës së vogël dhe ia doli falë përkushtimit të stafit mjekësor por edhe të ëmës e cila ka treguar një kujdes të veçantë ndaj saj", thotë mjekja për "DurrësLajm".

Sipas mjekes Linda Deliu Beka, përgjatë dy muajve foshnja është mbajtur disa herë në pozicion nëna-kangur, e rëndësishme për trajtimin special që kërkonte ky rast dhe nga dita në ditë pesha vinte në rritje.

Mësohet se vogëlushja ka lënë spitalin në gjendje të mirë shëndetësore, duke peshuar tashmë 2 kilogramë. Një javë më vonë kur foshnja është paraqitur për kontroll peshonte 2 kg e 100 gramë çka tregon që është mirë me të gjitha parametrat sipas mjekes.

G.D.