Fillimin e kësaj jave, në bulevardin kryesor të qytetit të Durrësit, Policia Bashkiake ka nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga autovetura apo çdo lloj mjeti tjetër motorik, të cilat janë jashtë përdorimi ose janë të parkuara në rrugë, trotuare, lulishte, stacionet urbane të transportit publik. Automjete me mbishkrimin “Shitet”, në kundërshtim me ligjin dhe kodin rrugor, parkohen apo qëndrojnë për një kohë të gjatë në prona publike, stacione autobusi etj. duke penguar lëvizjen e qytetarëve dhe autobusëve.

Gjoba nga 2000 – 5000 lekë

Policia Bashkiake kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve të Durrësit, dhe është e vendosur për të zbatuar procedurat ligjore duke marrë masa me bllokues metalik, të cilët do të vendosen në gomat e automjeteve që shkelin ligjin. Me këtë rast, Policia Bashkiake bën dhe një sqarim për të gjithë ata që shkelin ligjin si dhe konstatojnë që në gomat e tyre është vendosur bllokues me mbishkrimin “Policia Bashkiake”, të lajmërojnë me anë të telefonit sallën operative të Policisë Bashkiake, e cila me shërbimet e saj bën të mundur heqjen e bllokuesit duke ndëshkuar me gjobë kundërvajtësin dhe atë që shkel ligjin. Gjoba që vendos Policia Bashkiake varion nga 2000 – 5000 lekë. Në momentin e shlyerjes së detyrimit të gjobës, bëhet dhe heqja e bllokuesit nga ana e Policisë Bashkiake.

Drejtori i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, në një komunikim me “DurrësLajm”, shprehet se e gjithë kjo situatë ishte kthyer në fenomen negativ: parkimi i autoveturave të çdo lloji, të cilat tregtoheshin në rrugët e qytetit të Durrësit, si dhe mjete të dala jashtë përdorimit që prej disa kohësh qëndronin në rrugë, trotuare e hapësira publike, ishin kthyer në shqetësim dhe pengesë për qytetarët.

Prefekti Nasto viziton zyrat e reja

Ndërkaq, ditën e djeshme Prefekti i Durrësit Roland Nasto vizitoi zyrat e reja të Policisë Bashkiake, që u inauguruan fundin e shtatorit. Prefekti përgëzoi Policinë Bashkiake dhe në veçanti drejtorin e saj, për punën e bërë që nga fillimi i vitit e deri tani për aksionet e njëpasnjëshme që janë ndërmarrë në të gjithë qytetin për lirimin e hapësirave publike, ndotjen e mjedisit, vjeljen e taksave etj. Po ashtu, u vlerësua puna e bërë për sezonin veror të suksesshëm që kaluam, performancën dhe ndryshimin e dukshëm në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të saj, për strukturën e re, zyrat e reja që ndodhen pranë Drejtorisë së Hekurudhës.

*Që prej ardhjes së tij në krye të Policisë Bashkiake të Durrësit, Çopa i ka kthyer ‘oksigjenin’ e munguar shumë prej akseve e rrugëve kryesore në Durrës. Insititucioni që ai drejton, në bashkëpunim me të gjitha strukturat mbështetëse, ka kryer aksione të njëpasnjëshme për lirimin e hapësirave publike, ç’ka është mirëpritur nga durrsakët, pasi ndryshe nga aksionet e mëparshme sporadike kur hapësirat liroheshin për t’u zënë sërish ditën tjetër, tashmë trotuaret dhe hapësirat e tjera publike janë kthyer në destinacionin e tyre primar, në shërbim të qytetarëve.

S.L.