*Policia e Prokuroria mbyllin sytë para kriminelëve të rrugëve!

Para 3 netësh pak para mesnate, fadroma, kamionë e makina, çanë rrugën te kryqëzimi i pallatit të sportit, pikërisht aty ku gjenden edhe semaforët në drejtim të rrugës së stadiumit.

Punimet u bënë gjatë natës, dhe në mëngjes qytetarët u zgjuan e panë se rruga e tyre nuk ishte më e njëjta.

Po të kish “zë” kryqëzimi rrugor do të ulërinte me të madhe, të shkrehej në vaj, deri sa t’i ndjenin dhimbjen thellë në tokë. Dhimbjen e ndjejnë vetëm ata që kanë zemër e dashuri për këtë qytet.

E them këtë, se asfaltin e masakruan në të gjithë gjatësinë e tij; në kryqëzim në një gjatësi rreth 5 metrash e në thellësi 2 metra. Ata që punuan gjatë natës “me apo pa leje” nuk dihen, në mëngjes ishin zhdukur pa nam e pa nishan, duke e lënë kryqëzimin të qajnë pa pushim të gjitha makinat e Durrësit që kalojnë aty pa ndërprerje. Kryqëzimi ëhstë nyje kryesore lidhëse në zemër të qytetit dhe në të kalojnë të gjithë qytetarët pa përjashtim. Kalojnë punonjësit e policisë edhe ata të krimit ekonomik, kalojnë prokurorët, oficerët e policisë, gjykatësit, punonjësit e bashkisë, ata të rrugëve, kalojnë edhe punonjësit e SHISH-it, ashtu si të gjithë qytetarët e Durrësit.

Si nuk u dhimbset ky qytet vallë asnjërit prej tyre? Si nuk e do asnjë njeri këtë qytet? Po si mund të jenë kaq indiferentë edhe ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë atë? Ata që kanë për detyrë për të vënë para përgjegjësisë shkelësit, që në këtë rast në mes të qytetit kanë bërë një dëm që nuk e kanë riparuar? Deri kur do të vazhdohet kështu?

Antikrimi ekonomik por edhe prokuroria,këto kohë nuk janë dëgjuar të kenë pasur ndonjë punë me rëndësi të madhe. As nuk u është evidentuar puna ku janë e me çfarë merren? Edhe nëse nuk ka një denoncim publik, një abuzim i tillë me rrugën në qendër të Durrësit nuk ka nevojë për denoncim, sepse hetimet nisin kryesisht për t’u vënë para përgjegjësisë autorët, qoftë ent publik shtetëror a privat.

Kushdo që ndërhyri natën dhe rrugën e la për faqe të zezë! Ky nuk është gabim por krim, i cili i bëhet pronës publike! A kanë sy prokurorët dhe policia? Para se media ta bëjë publik rastin, do ishin këto institucione që do të kishin referuar rastin dhe do të kishin nisur hetimin! Sepse në këtë qytetin tonë të bukur, kujtdo i shkrepet në kokë, hap e çan rrugë sa herë do, dëmton e dëmton pa fund pronën publike dhe nuk kemi dëgjuar apo nuk kemi patur referime nga policia për njerëz të vënë para përgjegjësisë.

Inxhinieri, tekniku, topografi, kushdo qoftë personi që ka firmosur që aty të shkatërrohej rruga, ashtu siç ndodh në rrugët e Durrësit, duhet të ishte sot në prokurori të përballej me ligjin.

Qytetarit të shkretë i venë policët në derë, nëse nis të ndërtojë pa leje oborrin e shtëpisë. Dhe mirë bëjnë sepse ligji është ligj.

Po në rastin konkret kur rrugët dëmtohen në këtë farë feje, dhe nuk riparohen më, kush duhet të mbajë përgjegjësi? Nëse aty ndodh një aksident, sepse rruga e tillë sjell si pasojë aksidentet, nëse aty i çahet serbatori i makinës një shoferi, as siguracioni e as shteti nuk mbajnë përgjegjësi.

Makinat që kalojnë aty qajnë me ulërimën e motorit sa herë e kapërcejnë, ndërsa po aq herë shoferë e pasagjerë ofshajnë, mallkojnë, e nuk lënë gjë pa thënë, sepse vetëm kaq mund të bëjnë! Më tepër duhet të bëjë policia e prokuroria, sepse nuk ka mbetur rrugë në Durrës pa u dëmtuar, pa u shqepur, pa u masakruar e nuk ka asnjë përgjegjës. Cili është autoriteti të japë leje për t’u masakruar rrugët e për të mos shkuar asnjëherë më pas siç ishin? Rrugët ngjasojnë me rrugët e bombarduara të Sirisë, por ndryshe nga Siria ne po hapim negociatat me Bashkimin Europian.

Si nuk ka mbetur aspak dashuri për qytetin, por edhe nëse zemrën e kanë gur për këtë qytet kaq të bukur por me njerëz të këqinj, të paktën institucionet të bëjnë detyrën.

Ata që masakrojnë rrugët tona, rrugët e Durrësit, të përballen me ligjin, dhe masat të jenë të ashpra që askush tjetër më pas të mos guxojë të “vrasë” bukurinë e këtij qyteti.

Në rrugë kalojnë të gjithë dhe rrugët nuk janë pronë e njërit apo tjetrit, janë pronë e të gjithëve, janë pronë e pasuri publike që brezat do t’i trashëgojnë.

K.H.