Karantina funksionale e portit të Durrësit është pajisur me 5 shtretër dhe pajisje antibakteriale ndërsa  është vënë në gadishmëri me të gjitha mjetet dhe pajisjet e nevojshme një autoambulancë që qëndron 24 orë në terminalin e trageteve.

Kontrolle më të shtuara po bëhen në pikën e hyrje-daljes së pasagjerëve dhe për të gjithë personelin e anijeve tregtare që hyjnë në portin e Durrësit.

Janë këto disa prej masave të shtuara të Autoritetit Portual të Durrësit pas shpërthimit të alarmit në mbarë botën si pasojë e Koronavirusit të rrezikshëm në Kinë.

Autoriteti Portual në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në këtë mënyrë ka rritur masat për të shmangur dhe mbajtur nën konttroll situatën ndonëse rrisku që ky virus të hyjë në vendin tonë është shumë i ulët.

Mjeku përgjegjës i Karantinës në port, Indrit Kalaja tha se rreziku është i vogël, thuajse i papërfillshëm që persona me Koronavirusin vdekjeprurës të hyjnë nga porti i Durrësit, për vetë faktin se duhet të kalojnë filtrat e Bashkimit Europian, konkretisht porteve italiane para se të mbërrijnë në Durrës.

Javën e shkuar dy shtetas kinezë mbërritën në Durrës, të cilët u morën në intervistë nga mjekët e portit, dhe rezultuan se tre muajt e fundit kishin qenë turistë në Europë, dhe nuk kishin asnjë rrezik se mund të ishin infektuar nga virusi vdekjeprurës.

K.H.