Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një deklaratë për shtyp njoftoi shkarkimin e 9 zyrtarëve dhe depozitimin e kallëzimit penal për 2 punonjës të tjerë, të gjithë për shpërdorim detyre.

Gjatë deklaratës së saj, Gjonaj theksoi se të kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre janë ish-kryeinspektori i ISHPSHSH qendër dhe kryeinspektorja e ISHPSHSH, dega Durrës.

“Ish- Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore Qendër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime dhe mosveprime në shkelje të hapur të ligjit – shkelje në procedurën e prokurimit të me objekt “Digjitalizimi i arkivit” të Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Si dhe Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Durrës, e cila dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime konkrete në shkelje të ligjit nr.10433, datë 16.06.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, si dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij”,- tha ministrja Gjonaj.

Ministja Gjonaj ka prezantuar sot rezultetat e Task forcës antikorrupsion të një jave. Në sitën e kontrollit kanë qenë institucione si Inspektoriati Qendror Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dega Durrës ku janë rekomanduar 24 masa disiplinore për punonjësit e këtyre institucioneve, prej të cilave 9 prej tyre janë shkarkime nga puna. Po ashtu janë kallëzuar penalisht edhe 2 punonjës të tjerë.

Personat e shkarkuar nga pozicioni janë: 1 Drejtor, 1 inspektor, 3 përgjegjës sektori dhe 4 specialistë pranë Inspektoriatit Qendror Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Për rastet kur shkeljet e konstatuara janë në kufijtë e veprës penale, Task Forca Antikorrupsion ka kryer kallëzime penale për personat përgjegjës.