Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të hënën se prokuroritë në Durrës dhe Tiranë kishin nisur hetimet për godinat që u shembën pas tërmetit të datës 26 nëntor. Prokuoritë në dy qarqet më të prekura nga tërmeti, bënë me dije se procedimi penal kryesisht kishte nisur për veprat penale të “Ndërtimit pa leje”,  “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella i tha BIRN se prokuroria kishte filluar hetimet në godinat në të cilat pati viktima dhe po ashtu do të hetoheshin edhe ndërtesat e tjera që pritej të prisheshin. Jella tha se policët gjyqësorë ishin të pranishëm në prishjen e godinave, po merrnin mostra të betonit dhe prova të tjera në ngrehina, ku kishte pasur viktima dhe do të ishin të pranishëm dhe bënin mbikqyrjen edhe të godinave të tjera që do të prisheshin.

“Pa tjetër që po marrim mostra betoni dhe po bëhet keqyrja. Oficerët e Policisë Gjyqësore po mbajnë procesverbale në çdo pallat që po prishet”, tha Jella, duke theksuar se kjo kishte nisur me godinat në të cilat pati viktima. Jella tha se prokuoria kishte mungesë të ekspertëve për shkak të situatës së emergjencës, por tha se kjo do të menaxhohej.

Në njoftim për shtyp prokuroria bëri me dije se dyshohej që pasojat e tërmetit të kishin “ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve”. /Marrë me shkurtime nga BIRN