Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Durrës ka reaguar në lidhje me pretendimet që u ngritën sot për mungesën e tamponëve.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Durrës, Zija Alhysa, tha se në realitet nuk plotësohet as 40 % e kërkesave, por kryhen vetëm gjysma e tamponëve që deklarohet çdo ditë në media nga ana e autoriteteve.

Por NJVKSH Durrës i hedh poshtë këto pretendime, e cila me anë të një statusi në faqen zyrtare në “Facebook”, thotë se i kanë të gjitha kapacitetet për përballimin e testimit të çdo rasti që hetimi epidemiologjik e vlerëson si të dyshuar të prekur nga COVID-19, si dhe epidemiologët dhe i gjithë stafi i po bëjnë një punë voluminoze në terren.

“Kemi të gjitha kapacitetet dhe furnizimet e nevojshme për të përballuar çdo rast të dyshuar me COVID-19 dhe do të vijojmë punën pa u ndalur për të gjurmuar dhe identifikuar rastet në kohë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

REAGIMI I PLOTË I NJVKSH DURRËS

Jemi çdo ditë në terren për të siguruar që hetimi epidemiologjik të kryhet me përpikmëri, për të ndërperë zinxhirin e transmetimit të infeksionit.

Epidemiologët dhe i gjithë stafi i NJVKSH Durrës po bëjnë një punë voluminoze në terren. Kemi të gjitha kapacitetet dhe furnizimet e nevojshme për të përballuar çdo rast të dyshuar me COVID-19 dhe do të vijojmë punën pa u ndalur për të gjurmuar dhe identifikuar rastet në kohë.

Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes me masat e distancimit, mbajtjen e maskës dhe higjienën që të na ndihmojnë në punën tonë të përditshme për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit dhe i sigurojmë se i kemi të gjitha kapacitetet për përballimin e testimit të çdo rasti që hetimi epidemiologjik e vlerëson si të dyshuar të prekur nga COVID-19.