Një banor i Durrësit, pallati i të cilit ndodhet përgjatë rrugës "Aleksandër Goga", afër vendit që njihet "dyqani i Dylit", ka kontaktuar me redaksinë e DurrësLajm dhe shpreh shqetësimin se megjithëse është vendosur shiriti bllokues që tregon banesë në rrezik, ende nuk kanë shkuar grupet e inspektimit për të kontrolluar godinën.

Ashtu si të gjithë banorët e tjerë të pallatit, ai që nga e marta e javës së kaluar nuk ka hyrë më në shtëpi dhe është në pritje prej ditësh tashmë për të marrë një përgjigje për pallatin.

“Të vinë të na thonë, që dhe ne ta dimë ça do bëhet me pallatin tonë. I kemi të gjitha gjërat sipër. Nëse nuk bëhet më pallati, të paktën të marrim gjërat se kemi punuar një jetë të tërë. Nëse riparohet aq më mirë”,– thotë banori.

11 grupe ekspertësh, me 70 inxhinierë nga ku 50 të huaj, po operojnë në terren në zonat më problematike të Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit.

Moria e godinave që shfaqin problematika nga më të ndryshmet e bën punën e grupeve të inspektimit pak të avashtë dhe ende ata nuk kanë mund të kontrollojnë të gjitha objektet në qytet dhe njësitë administrative.