Në kuadër të masave ligjore që ndërmerren nga Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera shtetërore për vendosjen e një regjimi të ri që synon bllokimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve është firmosur urdhri i përbashkët nga ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Në urdhër përcaktohen masat dhe hapat që do të ndërmerren për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil nga publiku i gjerë.

Në urdhrin e përbashkët të tre ministrave është specifikuar se artikujt që do të ndalohen të hidhen në treg janë:

– të kategorisë 2 (F2), përdorimi i të cilave në mjedise të hapura jashtë ndërtesave, kërkon një distancë nga 5 deri në 8 metër nga njerëzit dhe objektet;

– të kategorisë 3 (F3), përdorimi i të cilave në mjedise të hapura kërkon një distancë mbi 25 metër nga njerëzit dhe objektet.

Ndërkohë do të ndalohet prodhimi, importi, eksporti, magazinimi, shitja dhe përdorimi i të gjitha substancave piroteknike dhe fishekzjarrëve, të cilat në përmbajtjen e tyre kanë: squfur, fosfor të përzier me klorat potasiumi, klorate të tjera, apo që përmbajnë njërën nga përzierjet e tilla.

Në urdhër janë përcaktuar edhe detyrimet e institucioneve shtetërore për ndalimin dhe hedhjen në treg të këtyre produkteve. Komisioni i Dhënies së Licencave, pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në Ministrinë e Mbrojtjes, do të ndalojë prodhimin me qëllim shitjen për treg të brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil, të kategorisë 2 (F2) dhe të kategorisë 3 (F3).

Komisioni i Dhënies së Licencave gjithashtu do të rishikojë licencat e importit dhe prodhimit të cilat janë në fuqi, për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil, të kategorisë 2 (F2) dhe të kategorisë 3 (F3).

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të ndalojë importin e artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil në tregun e brendshëm të kategorisë 2 (F2) dhe të kategorive 3 (F3).

Në urdhër janë përcaktuar rastet kur do të lejohen këto produkte. Kështu është përcaktuar se do të lejohen të përdoren vetëm nga subjekte të licencuara për përdorimin e lëndëve plasëse, piroteknike dhe fishekzjarrë, në raste festash kombëtare apo lokale të organizuara nga institucionet publike, evente festive, ose në rast festash familjare (dasma, ditëlindje), e në të gjitha rastet do të lejohen vetëm pas vënies në dijeni të Komisariatit të Policisë, që mbulon zonën.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve/Ekspertë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave, si dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, do të ngrenë Task Forcën, e cila ushtron kontrolle për verifikimin e kushteve në linjat e prodhimit dhe të magazinimit të subjekteve të licencuara për prodhim, import/eksport të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrë, sipas fushave të përgjegjësisë.

Strukturat vendore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Policisë së Shtetit, Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi do të jenë përgjegjëse për kontrollin dhe verifikimin e kushteve të transportit, magazinimit dhe të shitjes në dyqanet sipas juridiksionit territorial dhe fushave të përgjegjësisë.

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve në Ministrinë e Mbrojtjes, do të bëjë njoftimin e subjekteve të licencuara për import dhe prodhim të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrë. Subjektet e licencuara mund të tërheqin nga tregu dhe të magazinojnë produktet, me qëllim përdorimin e tyre, vetëm në rastet e lejuara ose eksportin e tyre.

Më herët Ministria e Brendshme u ka kërkuar të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese. Provat eksperimentale vërtetuan se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet.