Prej qershorit të vitit 2018, në vendin tonë, ka hyrë në fuqi ligji "Për ndihmën juridike". Në këtë kuadër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zhvilluar një fushatë ndërgjegjësuese, ndërsa numri i qytetarëve durrsakë që kanë përfituar këshillime ligjore falas është 170.

Erisilda Shpata, avokate dhe njëherësh përfaqësuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shprehet se sipas të dhënave, deri tani asnjë qytetar nuk i është drejtuar me kërkesë të drejtpërdrejtë Gjykatës së Rrethit Durrës, për të përfituar ndihmë juridike parësore, dytësore ose përjashtim nga shpenzimet.

Në të njëjtën kohë, avokatja konfirmon se rasti i parë për ndihmë juridike falas është shënuar nga institucioni që ajo përfaqëson.

Për shkak të vonesave nga Ministria e Drejtësisë për miratimin e akteve nënligjore, edhe ligji ka nisur të zbatohet me vonesë. Kategoritë përfituese janë të përcaktuara, në varësi të statusit social, por edhe të ardhurave mujore.

Për ndihmën juridike parësore në Durrës mungojnë qendrat e specializuara, të cilat do të duhej të ishin ngritur, ndërsa për atë dytësore, qytetarët e interesuar duhet të plotësojnë formularin përkatës, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.