Viti i ri arsimor për sistemin parauniversitar ka 2 javë që ka nisur. Por në shkollën “Bedrie Bebeziqi”, duket se viti shkollor nuk ka nisur me këmbë të mbarë.

Fotot e mbërritura në redaksinë e DurrësLajm tregojnë ambientet e një shkolle që është shumë larg imazhit që institucionet arsimore duhet të përcjellin.

Shkolla pozicionohet në lagjen nr.4 të Durrësit, por nga muret me suva të rënë dhe të palyera prej vitesh, me bankat dhe tavolinat e dëmtuara, me tualetet që shpesh i kanë edhe dyert të dala nga vendi, ky institucion arsimor të ngjan me imazhet që ofrojnë kronikat televizive në rajonet e thella të vendit tonë.

Në vend që të gjenin një ambient të rinovuar dhe mikpritës, nxënësit përballen me klasa që të trishtojnë me pamjen e tyre sapo hedh një vështrim sipërfaqësor. Dhe të mendosh që nxënësve u duhet të qëndrojnë nga 4-6 orë në ambiente të tilla, ku duket sikur ka shpërthyer ndonjë bombë!

Problematika që kanë disa nga shkollat më të rëndësishme në qendër të Durrësit janë mjaft të theksuara. Kujtojmë këtu rastin e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, punimet në të cilën nuk kanë mbaruar ende, megjithëse kanë nisur 2.5 vite më parë.

Nxënësit e kësaj shkolle, edhe këtë mes shtatori u detyruan të “shtegtojnë” në shkollat e tjera të qytetit për të zhvilluar procesin mësimor, pasi ambientet ende nuk kanë përfunduar.

Ndoshta po pritet që shkolla të inagurohet vitin e ardhshëm, që përkon edhe me vitin elektoral, pasi do të votohet për të zgjedhurit vendorë. Ndërkohë nxënësit do të vazhdojnë ende të sorollaten nëpër shkolla të tjera, ndërsa prindërit mundohen të kombinojnë oraret e tyre, pasi për ta është një stres më vete shoqërimi i fëmijëve në shkolla, për më tepër që këta nxënës janë të detyruar ta zhvillojnë procesin mësimor pasdite.

Nga ana tjetër, stafi mësimor i shkollës “Bedrie Bebeziqi” bën të ditur se ata janë në pritje të rikonstruksionit të saj, prandaj dhe ambientet janë në gjendje të mjerueshme, ashtu siç duket mjaft qartë në foto.

Kur shpenzohen miliona euro për një projekt si “Veliera” që qëndron si një varrezë e hapur në një nga zonat më të frekuentuara turistike të Durrësit dhe për rrugët kryesore që po shndërrohen në kopje identike të njëra-tjetrës, institucionet arsimore të dijes në qytetin bregdetar ofrojnë një panoramë që i vret sytë çdo nxënësi e prindi. As një kovë bojë nuk hidhet për të mbuluar gjendjen e mjerueshme të klasave dhe kabineteve, ku studiojnë ata që në vitet në vazhdim do të jenë e ardhmja e këtij vendi.

Kur e tashmja ofron këtë gjendje, pak kush është optimist për të ardhmen…