Nga punonjës bingoje në zyrtar policie/ Shehu ngec në vetting, nuk justifikoi dot pasurinë

08/11/2019 - 11:28

Ngec në sitën e vetting, Oltjon Shehu, nëndrejtor i përgjithshëm i SHÇBA. Komisioni i jashtëm i Vlerësimit, njoftoi sot shkarkimin nga detyra, pasi Shehu nuk mundi të justifikonte dot pasurinë e tij. Oltjon Shehu, ishte  personi i parë i listës së zyrtarëve të policise që iu nënshtrua procesit të vettingut.

Shehu pati vështirësi për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë e tij e përbërë nga një shtëpi dy-katëshe dhe një makinë, ndërsa u justifikua para trupës gjykuese me punën në sektorin informal të ekonomisë në profesione të ndryshme si punonjës bingoje, kamarier dhe menaxher hoteli. Trupa e vlerësimit e KJV përbëhej nga Ela Kerka kryesuese, Marjeta Gjela relatore dhe Ana Kapaj, anëtare.

Në fillim të seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Marjeta Gjela shpjegoi se Oltjon Shehu e kishte nisur karrierën e tij në Policinë e Shtetit vitin 2014 si drejtor i Zyrës së Inspektimit të Ankesave të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ShÇBA. Ajo tha se në fillim të këtij viti, Shehu kishte kërkuar dorëheqjen dhe kishte punuar për pak kohë si specialist e më pas ishte emëruar si shef i Zyrës së Ankesave në ShÇBA. Gjela pohoi se vlerësimi i Shehut është kryer në të tri kriteret, për pasurinë, vlerësimin e figurës dhe profesionalizimin.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Shehu zotëron një banesë dy-katëshe në Tiranë me sipërfaqe 161.6 m2. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar dy kredi në vlerën 500 mijë lekë dhe një 1 milionë lekë, si edhe kursime në vlerën 2.5 milionë lekë. Komisioni ka konstatuar se ndërtimi i kësaj banese ka nisur në vitin 2003 dhe është përfunduar në vitin 2008.

Relatorja Gjela tha se Shehu ka shpjeguar për Komisionin se në certifikatën e pronësisë, sipërfaqja 77 m2 përfaqëson gjurmën e ndërtesës, pasi pjesa tjetër e sipërfaqes prej 16.6 m2 i përket katit të dytë.

Komisioni ka konfirmuar dy kreditë e marra prej efektivit të policisë, Shehu, por identifikon pamundësi për nisjen e ndërtimit të banesës në vitin 2003. Sipas relatores, të ardhurat e bashkëshortes së subjektit për periudhën 2000-2003 kanë qenë rreth 280 mijë lekë. Ndërsa të Shehut kanë qenë 104 mijë lekë. Komisioni konkludon se subjekti nuk ka pasur mundësi për të krijuar kursime të mjaftueshme për të nisur ndërtimin e banesës, ashtu si ai ka pretenduar.

“Subjekti sqaroi se nuk ka dokumente ligjore për të vërtetuar të ardhurat dhe kursimet deri në vitin 2003, por ka thënë se ka punuar në informalitet tek bingo Ylli në Tiranë në vitet 1996-1997 duke pretenduar se ka siguruar rreth 2.5 milionë lekë nga të cilat ka kursyer 1 milionë”, pohoi relatorja Gjela. Ajo tha se Shehu ka deklaruar para Komisionit se ka punuar në vitet e mëvonshme edhe si kamarier në një lokal e menaxher në një hotel ku ka siguruar përkatësisht 1 milionë dhe 1.3 milionë lekë.

Pavarësisht deklarimeve e pretendimeve të punonjësit të Policisë së Shtetit Oltion Shehu, Komisioni konkludon se ai nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për ndërtimin e shtëpisë.

Ndërkohë, nuk janë konstatuar problematika lidhur me blerjen e një autoveture tip BENZ në vitin 2015. Edhe për pastërtinë e figurës nuk ka rezultuar që ai të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme apo të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar.  Sipas relatores Gjela, Shehu ka kaluar me sukses edhe testin psikologjik.

Lidhur me profesionalizimin, gjatë seancës dëgjimore u identifikua argumentimi i përdorur nga Shehu për dhënien e dorëheqjes. Sipas relatores Gjela, Shehu e kishte kërkuar dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit duke argumentuar se nuk ishte i aftë për këtë pozicion. Tjetër problematikë që u identifikua për profesionalizimin ishte fakti se Komisioni nuk kishte konstatuar asnjë dokument të konceptuar apo të prodhuar nga Shehu gjatë ushtrimit të tij të detyrës prej vitit 2014 e në vazhdim. Gjela tha se nuk kishte pasur denoncime nga publiku ndaj tij.

Oltjon Shehu ishte i shoqëruar nga një avokat gjatë seancës dëgjimore, i cili tha se subjekti nuk kishte pasur rritje të pasurisë gjatë periudhës që ai kishte punuar në Policinë e Shtetit. Ai pretendoi se Komisioni nuk i kishte dhënë kohën e mjaftueshme Shehut për të dhënë shpjegimet dhe provat e tij duke pretenduar se duhej që ti mundësohej të paktën një e treta e periudhës katër mujore që i ishin dashur trupës së vlerësimit për të përfunduar hetimin.

Mbrojtësi i Shehut pretendoi se hetimi për pasurinë duhej të niste që prej vitit 2014, kur ai kishte nisur të punonte në Policinë e Shtetit. “Më parë ai ka punuar në sektorin privat dhe e ka mësuar vonë se nuk i ishin paguar sigurimet”, shpjegoi mbrojtësi i Shehut.

Ata ngritën pretendime dhe lidhur me saktësinë e analizës financiare dhe kërkuan caktimin e një eksperti të pavarur për rikryerjen përllogaritjeve. Trupa e vlerësimit u tërhoq dhe mori vendim të ndërmjetëm ta rrëzojë këtë kërkesë.

Lidhur me konstatimin e Komisionit për dorëheqjen e Shehut nga pozicioni i drejtorit, ai pretendoi se vlerësimi profesional duhej të kryhej i shtrirë në kohë, gjatë gjithë përvojës së tij në Policinë e Shtetit dhe jo vetëm në një moment. Ndërkohë, Shehu pohoi se argumenti i tij kishte qenë subjektiv, por se kjo nuk tregonte se eprori kishte konstatuar mangësi të qenësishme të tij, pasi do të kishte marrë masa.

Në fund të seancës dëgjimore, kryesuesja e trupës së vlerësimit, Ela Kerka e pyeti lidhur me bakshishet e përfituara kur kishte punuar në bingo Ylli. Shehu shpjegoi se fituesit shpeshherë linin bakshishe të konsiderueshme, të cilat nuk ishin personale, por ndaheshin në fund të ditës mes të gjithë punonjësve.

Ndërsa relatorja Gjela e pyeti nëse kishte konceptuar ndonjëherë ndonjë shkresë gjatë ushtrimit të detyrës, pasi Komisioni nuk kishte konstatuar diçka të tillë. Shehu tha se ai kishte qenë pjesë e grupeve të punës dhe se nuk dispononte email-et për ta provuar këtë gjë, pasi në vitin 2017 domain-i i mëparshëm ishte mbyllur. “Në pozicionin tim isha verifikues e kontrollues. Ka dokumente të klasifikuara dhe mund t’i kërkoni ShÇBA t’i deklasifikojë”, tha ai. /BW

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Zëvëndës Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra si dhe Paolo Vitti anëtar i Këshillit të kësaj organizate, kanë dërguar një letër në adresë

Pasi kërkoi raportin e pikëzimit të detajuar të çdo anëtari të KLP-së për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Arta Marku ka vendosur

Historia e sotme në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, është një denoncim i fortë.

Ish-deputeti Oerd Bylykbashi ka kujtuar sot ish-kolegun e tij, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident tragjik më 20 nëntor 20

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim, kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, me kërkesën e kë

Do të hetohet në gjendje të lirë pedagogu i Elbasanit, Denis Himçi, i cili u vu në pranga disa muaj më parë, pasi u denoncua nëpërmjet nj

Me rastin e 20 Nëntorit 1943, në lapidarin simbol të kësaj dite, bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të të gjithë

Në 6-vjetorin e aksidentit tragjik, gazetari Sokol Balla ka kujtuar sot ish-deputetin e ndjerë, Sokol Olldashin.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka njoftuar se Xhenierët e Forcave të Armatosura kanë nisur punën për ndërtimin e një ure 33 m të gjat