Nis riparimi i rrugëve të Durrësit. Në prag të sezonit turistik dhe pritjes së turistëve vendas dhe të huaj, bashkia e Durrësit ka nisur punën për riparimin e rrugëve në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar.

Mjetet e rënda janë përqendruar sot në sheshin “Pranvera”. Për të vendosur shtresën e asfaltit është devijuar trafiku në akse të tjera, ndërkohë që Ndërrmarrja e Rrugëve në varësi të bashkisë po kryen punime me intensitet të lartë për të përfunduar shpejt ndërhyrjet e programuara.

Burime zyrtare të bashkisë Durrës konfirmojnë për DurrësLajm se ky aksion do të vazhdojë në të gjitha rrugët e qytetit, që kanë nevojë për ndërhyrje në infrastrukturë.

Aktualisht shumë rrugë të lagjeve kryesore të Durrësit si akset “Aleksandër Goga” apo “Egnatia” i janë nënshtruar rikonstruksionit, duke e kthyer qytetin në një kantier ndërtimi.

Vetëm “Veliera” vazhdon të mbetet një gropë e hapur, në pritje që gjyqësori i Apelit të Gjykatës Administrative të thotë fjalën e fundit për fatin e projektit 6 milionë euro.