TIRANE – Admir Banaj është shkarkuar nga detyra e ambasadorit të Shqipërisë në Arabinë Saudite. Ministria e Jashtme i është drejtuar më një letër Presidentit të Republikës me 11 dhjetor të vitit të kaluar, ku i kërkonte shkarkimin nga detyra të ambasadorit Banaj.

Data e kërkesës për shkarkim, drejtuar presidentit Nishani përkon me momentin, kur për herë të parë opozita e akuzoi ambasadorin Banaj se kishte shpërdoruar detyrën duke u kthyer në një sekser mes biznesmenit Zafar Ansar dhe zyrës avokatore të Argita Malltezit.

Në intervistën e 15 janarit për Top Channel, vetë Ansar tregoi se ishte ambasadori Banaj ai i cili i kishte prezantuar kompaninë e Argita Malltezit, për të vijuar tratativat e ndërtimit të një TEC-i prej 100 milionësh. Janë më shumë se tre korrespondenca mes Banajt dhe Ansar prej të cilave opozita thotë se ambasadori me dëshirën e tij apo imponimin e të tjerëve e ktheu veten nga një diplomat në urë lidhëse mes Argita Malltezit dhe Zafar Ansar, duke shkelur praktikat e një përfaqësuesi të shërbimit diplomatik.

Kërkesa e Ministrisë së Jashtme është pranuar nga presidenti Nishani, i cili 9 ditë më pas nëpërmjet dekretit numër 7865 e liron nga detyra Admir Banajn, si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, rezident, si dhe nga detyra e ambasadorit  të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bahreinit, në Sulltanatin e Omanit, në Kuvajt dhe në Republikën e Jemenit, jorezident.