Moti i keq që ka përfshirë vendin ka krijuar problematika të theksuara sidomos në zonat verilindore, që sot u zbardhën nga dëbora.

Ndërkohë, orët e mbrëmjes së të enjtes po shoqërohen me reshje shiu dhe erë të fortë në ultësirën perëndimore. Pasdite, në zonën e Lezhës një trajler me targa maqedonase u përmbys në rrugë si pasojë e erës së fortë.

Sinoptikania Tanja Porja e Meteoalb paralajmëroi se bregdeti shqiptar do të goditet nga cikloni me erëra shumë të forta, me shpejtësi 70-80 km/orë.

Ndërkohë në Durrës, fuqia e erës pritet të rritet së tepërmi në orët e mbrëmjes, nga 22.00 deri afër mesnatës së sotme.

Ndërsa gjatë orëve të para të së premtes dhe deri rreth orës 11.00, Durrësi pritet të përfshihet nga reshje të mëdha shiu.

Gjatë ditës së premte pritet të regjistrohen 17.9 mm shi, pak a shumë e njëjta sasi reshjesh që shkaktoi përmbytje masive në qytetin bregdetar ditën e hënë.

Orët më kritike parashikohen të jenë 04.00-11.00, gjatë të cilave pritet të regjistrohen rreth 14 mm shi.