Pas shumë kohësh nis larja e rrugëve të Durrësit. Që nga dita e martë, qytetarët kanë konstatuar në mëngjes larjen e rrugëve kryesore të qytetit bregdetar. Pas aksionit të pastrimit që nisi që ditën e parë të marrjes së detyrës nga kryebashkiakja Valbona Sako, një nismë tjetër merr udhë për një Durrës më të pastër.

Makina e Ndërrmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit ka lëvizur në të gjitha rrugët kryesore të qytetit, ndërkohë që kryebashkiakja Sako konfirmon se larja e rrugëve do të vazhdojë të bëhet për çdo ditë.

Në rrjete sociale apo në intervista ajo u ka bërë thirrje banorëve të qytetit që të kontribuojnë të gjithë bashkë për një qytet të pastër. Larja e rrugëve të qytetit të Durrësit ka qenë një ritual i përditshëm vite më parë, por prej shumë kohësh  ai ishte ndërprerë.

Larja e rrugëve ka qenë e domosdoshme sidomos këto ditë, kur vapa përvëluese dhe ajri i ndotur e vështirësonin së tepërmi lëvizjen e qytetarëve.