Pas përmirësimit të motit gjatë ditëve të fundit të këtij muaji, ka nisur pastrimi i leshterikut përgjatë zonës së Plazhit, i cili kishte pushtuar të gjithë vijën bregdetare.

Mjetet e bashkisë dhe të shërbimit të Ndërrmarrjes Komunale Plazh janë angazhuar së fundmi për të hequr qindra tonë leshterikë të sjellë nga deti gjatë periudhës së dimrit.

Pastrimi i zonës turistike të Durrësit, i ka gëzuar qytetarët të cilët frekuentojnë plazhin për të bërë ecje pasditeve të ngrohta të shkurtit.

“Ne jemi durrsakë, kemi lindur në Durrës edhe plazhin e frekuentoj. Punë e mrekullueshme pastrimi i plazhit nga leshteriku.”

“Jemi pensionista, dalim buzë detit, kthehemi në shtëpi dalim prap, këtë punë kemi. Shyqyr që po na pastrohet.”

“Zakonisht ne vijmë masditeve në plazh. Shyqyr që u bënë mbarë për ta pastruar.”, shprehen qytetarët.

Ndërmarrja Komunale e Plazhit bën me dije se pastrimi i leshterikëve do të jetë i përditshëm, duke qenë se jemi në prag të stinës së pranverës.

Sasitë e mëdha të leshtërikëve transportohen me mjete të rënda drejt zonës së Sharrës, në kryeqytet.