Pas denoncimit të anijes turistike "Red Star" se po penalizohet nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreu, ka ardhur reagimi i institucionit që drejton ky i fundit.

Në një deklaratë për mediat, DPD hedh poshtë këto akuza duke i konsiderua si shpifje dhe mashtrime, pasi rasti i kësaj anijeje është rasti tipik i abuzimit dhe shpërdorimit të së drejtës detare dhe ligjeve në fuqi.

DEKLARATA E DPD

Drejtoria e Përgjithshme Detare(DPD) është njohur nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale me akuzat për “pengim” të turizmit në Sarandë. 

DPD hedh poshtë këto akuza dhe i bën me dije opinionit publik se, nuk janë gjë tjetër veçse sulme, shpifje dhe mashtrime, që  bëhen për të goditur punën e suksesshme të këtij institucioni në vendosjen e standardeve për sigurinë lundrimore dhe sigurinë e jetës së turistëve. 

Rasti i Anijes “Red Star”, e cila erdhi në Sarandë me shtetas italianë është rasti tipik i abuzimit dhe shpërdorimit të së drejtës detare dhe ligjeve në fuqi. Kjo anije,  e licensuar për të  kryer lundrime në linjën Vlorë-Brindisi për transport ndërkombëtar detar automjetesh dhe pasagjerësh, pa leje dhe pa licensë dhe pa asnjë njoftim nga autoritetet detare niset dhe kryen linjën Brindisi-Korfuz-Sarandë, si anije turistike duke shkelur rëndë Kodin Detar dhe Udhëzimin për licensimin e linjave ndërkombëtare.

Kjo anije në shkelje flagrante ligjore ka braktisur linjën Vlorë-Brindisi, duke krijuar kaos të lëvizjese së  shtetasve  dhe mjeteve,  që duan të udhëtojnë nga Brindisi(Itali)  në Vlorë dhe duke rritur artificialisht çmimin e biletave. Theksojmë se, kjo anije nuk disponon licensë për anije turistike, pasi ligji e shpreh qartë se ndalohet që nje anije që kryen  linjë detare  ndërkombetare të kryejë udhetime  turistike. Ajo mund të vinte në dispozicion një  anije tjetër dhe pasi ta  licensonte për udhetime turistike, të ushtronte këtë aktivitet. 

Për këto shkelje anija “Red Star” është gjobitur sipas Kodit Detar me 2000 euro. 

DPD nuk ka penguar asnjë moment levizjet turistike,  përkundrazi ka lehtësuar procedurat,  për jahtet e huaja që prekin ujërat tona dhe kjo duket qartë te fluksi madh i jahteve që po vizitojnë vendin tonë. DPD nuk do të tolerojë asnjë kompani që shkel standardet dhe do ndëshkojë cilindo që shkel këto rregulla e ligje në fuqi. 

Drejtoria e Përgjithshme Detare