Durrësi është një nga qytetet më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit. Për këtë arsye qeveria Rama miratoi 4 zona për Rindërtimin, nga të cilat është miratuar deri tani vetëm zona nr.4, në Spitallë, që i përket njësisë administrative nr.6.
Projekti i hartuar nga një studio arkitekturore u prezantua pak ditë më parë në mbledhjen ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama nga arkitekti italian Mario Cucinella.
DurrësLajm po zbardh më poshtë përmes fotove, pamjeve filmike dhe detajeve të hollësishme shumë aspekte të rëndësishme të projektit të Rindërtimit në këtë zonë, ku pritet të sistemohen mbi 1700 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.
Fillimisht po publikojmë shpjegimin që arkitekti italian Mario Cucinella bëri për projektin për Spitallën. Cucinella u shpreh se projekti është përqendruar në idenë e lagjeve me densitet të ulët dhe me një rrjet shërbimesh të zgjeruara, që e kthejnë atë në një destinacion, jo vetëm për banorët e Durrësit, por edhe më gjerë.
“Ne jemi përqendruar më shumë në idenë e një lagjeje me densitet të ulët, por duke marrë parasysh shpejtësinë e ndërtimit dhe raportin e këtyre blloqeve të ndërtimit në një farë mënyre duhet t’i japim një përgjigje shumë shpejt, brenda këtij aksi të madh zhvillimi. Ideja për të bërë një projekt që të jetë i realizueshëm shumë shpejt më duket i rëndësishëm dhe i përgjigjet kërkesës që ju keni bërë. Idea e ndërtimit mbi këtë bazë parashikon edhe një sërë shërbimesh në Durrës, duke marrë parasysh densitetin e këtij qyteti dhe është e rëndësishme që të jetë një destinacion, jo vetëm për ata që banojnë aty, por mund të jetë një destinacion edhe për qytetarët e qyteteve të tjera. Kjo ndërthurje funksionesh na ndihmon që të krijojmë një lagje të re, e cila të ketë sa më shumë jetë. Janë 1700 familje, rreth 5 mijë banorë. Këto shtëpi janë të gjitha afër me njëra-tjetrën, me kalime brenda tyre.”,– tha Cucinella.
Po ku konsiston projekti i Rindërtimit në Spitallë?
Kjo zonë e re ndërtimi, që zë një sipërfaqe prej 190 ha, është aktualisht në pjesën më të madhe të saj tokë djerrë. Nëse do i referohemi territorit brenda kufirit të zonës në studim, dhe përdorimit ekzistues të tokës, vihet re dominimi i sistemit bujqësor dhe atij infrastrukturor. Sistemi urban është thuajse inekzistent, pasi përfaqësohet vetëm nga një grupim objektesh informale të ndërtuara pranë argjinaturave të kanaleve kulluese, në jug të zonës në studim. Si rrjedhojë strukturat e vetme urbane në zonë janë pjesë e kategorisë Banim, ato janë në numër të kufizuar dhe në pjesën dërrmuese të tyre janë të ndërtuara në mënyrë informale.
Hyrja për në Zonën 4 – Spitallë është e mundur nga dy rrugë kryesore:
1. Hyrja nga Autostrada Tirane-Durrës në mbikalimin e Qaf-Zotaj duke kaluar në rreth rrotullimin “Këneta” dhe duke kaluar në periferi të Vrinasit në rrugën që të çon në fshatin Rinia.
2. Rruga kryesore nga qyteti i Durrësit drejt Porto Romano, e cila lidhet me zonën në studim. nëpërmjet rrugës tërthore.e cila quhet Rruga “Miqësia”.
Si objektiv kryesor në zone mbetet ndërtimi i banesave sociale
Zhvillimi urban do të fokusohet në pjesën qendrore ku do të fokusohen funksionet publike dhe në 2 lagje të reja banimi. Lagjet e banimit të përbëra nga 12 blloqe alternojnë hapësirat publike me kopshte private, hapësira tregtare dhe kopshte bujqësore në parcelat e lira. Të gjitha funksionet në territor aksesohen nga një rrjet organik kalimesh këmbësore dhe ciklistike. Ky rrjet kulmon në sheshin mbikalim në qender të zonës.


Programi i strehimit
Sipas PdyV-së së propozuar, e cila propozon zhvillimin ne faza, programi i strehimit do të konsiderojë ndertimin e 2 tipologjive te banimit kryesore:
a. Në zonën e rindërtimit ndodhen 1728 apartamente të lokalizuara në objekte 4 katëshe
b. Në zonën përreth që shërben si fazë “tranzit” dhe lidhje me zonën aktuale të banimit ndodhen 102 banesa individuale 2 katëshe.
Në përfundim të realizimit të këtij Plani të Detyruar Vendor për ZRZh 4 është menduar te akomodohen ne total 1728 familje.

Hapësirat e gjelbra në zonat urbane janë një elemet i fortë në aspektin peizazhistik dhe të komoditetit. Sipërfaqja e gjelbër që krijohet është e grupuar në parkun përreth ITUN, dhe për në hapësirat e lira të nënnjësive dhe përgjatë rrugëve e kanaleve. Në hapësirat midis objekteve hapësira e gjelbër është e ndarë në hapësirë publike dhe në hapësirë kopshtesh të vogla urbane që do të mirëmbahen nga vetë banorët.
Organizimi i objekteve bëhet bazuar në modulin konstruktiv me gjërësi 7m. Ky modul standard artikulohet me anë të një volumetrie komplekse të përbërë nga tarraca, llozha e kopshte dimërore, për të krijuar një imazh të një kompleksi jo-masiv. Lidhjet vertikale, shkallë-ashensorë, projektohen me hapësira të bollshme, me hapësira atriumi, të mbështjellë me sipërfaqe të xhamta për të mundësuar lidhje të banorëve me hapësirat publike. Prania e këtyre hapësirave synon të ndikojë pozitivisht në ndërveprimet sociale midis banorëve. Veshja e fasadës ka gjithashtu një modul standard (3m X 1m) të deduktuar nga moduli konstruktiv, duke alternuar panele transparente me panele opakë me ngjyra të ndryshme. Edhe në këtë rast kjo zgjedhje lejon fleksibilitet në personalizim të njësive të banimit.
M.B.





