Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë zhvilluar në zonën e Shkëmbit të Kavajës një aksion për lirimin e plazhit nga çadrat dhe shezlongët e vendosur pa leje dhe në kundërshtim me aktet normative për situatën e krijuar nga Covid -19.

Gjatë këtij aksioni janë kapur në flagrancë dhe gjobitur personat që i zotëronin ato dhe që kishin zaptuar hapësirën e rërës. Mësohet se bëhet fjalë për 3 subjekte, masa administrative ndaj të cilëve ka qenë 5000 lekë të rinj për secilin.

Policia bashkiake ushtron kontrolle të vazhdueshme për të parandaluar zënien e hapësirave të plazhit nga persona apo subjekte që nuk janë të pajisur me leje.

“I bëjmë thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet gjatë vijës bregdetare të bashkisë së Durrësit të mos ndërmarrin inisiativa të tilla që bien ndesh me ligjin dhe të mos vendosin çadra apo shezlongë në rërë pa marrë lejen nga autoritetet përkatëse. Lejet do të jepen në bazë të VKM-së dhe udhëzimeve përkatëse që do të vijnë nga qeveria shqiptare. Për ata që nuk zbatojnë ligjet dhe aktet normative do te ketë masa administrative, bllokim të çadrave dhe shezlongëve, deri dhe ndjekje penale.”, thuhet në njoftimin e policisë në Facebook.