Pavarësisht situatës së vështirë dhe të ngarkuar që po kalon Durrësi për shkak të procesit të rindërtimit dhe nga ana tjetër e pandemisë Covid-19; toleranca ndaj zaptuesve të hapësirave publike në mënyrë të paligjshme vazhdon të jetë zero dhe në fokus të punës së përditshme të Policisë Bashkiake së Durrësit.

Këtë të martë, shërbimet e Policisë Bashkiake në bashkëpunim me Ndërmarrjen Rruga dhe Ndërmarrjen Pastrim Gjelbërimi, kanë ndërmarrë aksionin për lirimin e hapësirave publike në lagjjet nr.4 dhe nr.18, ku ishin zënë disa hapësira publike.

Pak ditë më parë, edhe në lagjen nr.5, rruga “Maliq Muça”, u larguan të gjitha tabelat të cilat reklamonin subjektet, përgjatë kësaj rruge. Ato ishin vendosur te shtyllat e ndriçimit rrugor duke u bërë shkak për dëmtimin e tyre.

Ndërkohë Policia Bashkiake ka dhe një thirrje për të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë ligjet dhe aktet në fuqi:

“Shfrytëzojmë rastin për t’iu bërë thirrje qytetarëve apo subjekteve të ndryshme që zaptojnë hapësira publike në mënyrë të paligjshme, pasi Policia Bashkiake nuk do të ndalet në asnjë moment për të ndëshkuar cilido që abuzon me hapësirat publike, deri në ndjekje penale për personat përgjegjës”.