Ndryshe nga fundjavat e shkuara, këtë të shtunë dhe të diel, uniformat blu kanë dalë në Durrës gjatë orarit të liridaljes së pensionistëve dhe prindërve me fëmijë, për t’i ndaluar të qëndrojnë në grumbullime.

Paraditen e sotme, disa efektivë policie me bllokun e gjobave në duar, si për të treguar se janë në gatishmëri për të gjobitur qytetarët, kanë patrulluar në breg pas Sfinksit, duke këshilluar prindërit që të largojnë fëmijët nga deti.

Pavarësisht që plazhet ende nuk janë hapur në vendin tonë, nuk dihet se përse policia, në një kohë kur në breg ka qytetarë të shumtë që qëndrojnë afër me njëri-tjetrin, merr këto urdhra për të ndaluar futjen në det. Të qëndrosh në rërë lejohet, e të lahesh në det, qenka e ndaluar!

Ndërkohë nga Golemi na vijnë këto pamje ku tashmë patrullimi policor po kryhet edhe në det me skaf, ndoshta për të gjobitur ndonjë person që ka hyrë pak në thellësi për t’u larë!

Forcimi i masave në Durrës ditët e fundit dhe rikthimi i aplikimit të gjobave ndaj qytetarëve vjen në një kohë kur qytetit bregdetar iu rikthyen rastet e të infektuarve me Covid-19.

Nga të dhënat e fundit që publikoi sot Ministria e Shëndetësisë, kanë rezultuar pozitivë 13 persona, duke e çuar kështu në 30 numrin e rasteve aktive. Kujtojmë që vatra e nxehtë është fasoneria në lagjen nr.13, ku punonjëset e saj rezultuan pozitive. Objekti është mbyllur ndërsa të gjithë të prekurit janë vetëkarantinuar në banesa së bashku me familjarët.