Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kampionen e atletikës, Luiza Gega.

Ceremonia u zhvillua në ambientet e Presidencës ku ndodheshin familjarë e të afërm të Luiza Gegës, si dhe kolegë dhe personalitete të sportit.

“E konsideroj një privilegj të nderoj sot një nga sportistet më të shquara në gjithë historinë e Atletikës shqiptare, vrapuesen e jashtëzakonshme Luiza Gega. Ajo ka dhënë gjithçka për sportin që dashuron aq shumë, për atletikën. Luiza është një atlete e përmasave botërore. Si sportiste ka thyer rekorde, ka fituar në gara të rëndësishme shumë të ndërkombëtare dhe na ka frymëzuar të gjithëve me rezultatet e saj, në kampionatet Botërore, Europiane, Ballkanike e Lojërat Mesdhetare.” tha mes të tjerave Presidenti Meta në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve.