Opozita ka thirrur sot në orën 20:00 protestë kombëtare, e para pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Prej ditës së djeshme, organet ligjzbatuese kanë marrë masa pranë institucioneve si Kryeministria, Ministria e Brendshme dhe Parlamenti. Pranë Kryeministrisë janë vendosur prozhektorë të rinj, që mundësojnë ndriçimin e vendqëndrimit të efektivëve të policisë. 

Në kuadër të masave gjithashtu janë pastruar kamerat e sigurisë, për të bërë të mundur dokumentimin e protestës së opozitës. Masat e tjera pritet të merren nga policia dhe garda në vijim, ku do vendoset gardhi metalik dhe ndryshohet dera aktuale e Kryeministrisë, me një derë tjetër me fletë metalike.

Pranë Ministrisë së Brendshme, disa orë para protestës gjithashtu është vendosur gardhi metalik, pranë të cilit 2 orë para nisjes së tubimit do të vendosën efektivët e policisë. Të njëjtat masa janë marrë edhe para parlamentit, kjo për shkak të seancës plenare dhe të protestës së opozitës.

Në protestën e sotme policia pritet të angazhojë 1300-1500 punonjës policie, ndërsa do angazhohen forcat e Rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.