Është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike me policinë protesta e banorëve të zonës së ‘Astirit’ në kryeqytet. Në ditën e 16 të protestës së tyre banorët shprehen se do të mbrojnë shtëpitë e tyre, të cilat do të prishen për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Banorët kanë hequr rrethimin në hyrje të Unazës së Re, por policia nuk i lejoi të bllokojnë sheshin. Tensionimi i situatës ka ardhur pas shoqërimit në komisariatin e policisë të 6 protestuesve.

Mësohet se janë shoqëruar në Komisariat protestuesit Gëzim Sadikaj, Edmond Frangu, Arben Qyrani, Armando Gishto, Shpëtim Billo, Paolo Ahmetcenaj, 17 vjeç.

Pas disa minutave, situata është normalizuar por banorët shprehen se nuk do të dorëzohen. FNSH ka marrë në ruajtje kantierin e Unazës se Re duke krijuar një gardh.

Me flamur amerikan në duar dhe me thirrje kundër qeverisë dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, protestuesit kanë kërkuar dëmshpërblim 100% të pronave të tyre. Deputetë të opozitës ndodhen sërish pranë protestuesve që kanë hedhur dhe kapsolla e fishekzjarrë.