Prokuroria e Krimeve të Rënda ka reaguar pas publikimit ditën e sotme në gazetën gjermane “Bild”, të 16 përgjimeve të reja nga dosja “339”.

Në reagim thuhet se Krimet e Rënda po “ndjek me kujdes situatën e paprecedent të krijuar që ka cenuar rëndë imazhin e Prokurorisë Shqiptare dhe që është kryer në shkelje flagrante të ligjit”.

Prokuroria njofton se kanë nisur hetimet për veprën penale “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.

“Nisur nga publikimet audio te bera sot me datë 17.06.2019 në gazetën gjermane Bild, Prokuroria e Krimeve të Rënda njofton se ka filluar veprimet hetimore për verifikimin e elementëve të veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i K.Penal.

Po bëhet verifikimi me shpejtësi i të gjitha akteve hetimore dhe të CD-ve të përgjimeve me qëllim verifikimin e autenticitetit të audiove të publikuara.

Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron, se po ndjek me kujdes situatën e paprecedent të krijuar që ka cenuar rëndë imazhin e Prokurorisë Shqiptare dhe që është kryer në shkelje flagrante të ligjit”, bën me dije Prokuroria e Krimeve të Rënda.